news-bg

Блог

ROLI I MEDIAS NË NDËRTIMIN E NJË SHOQËRIE MULTIETNIKE DHE GJITHPËRFSHIRËSE

Autor: EDI QERIMI


(превод на македонски можете да прочитате тука)


Mediat kanë ndikim dhe fuqi të jashtëzakonshme në ndërtimin e një shoqërie multietnike, pasi që ajo mund të jetë promotor, distributori më i shpejtë i një ideje. Vallë, a kemi ne në vendin tonë një medie të tillë e cila ka një strategji të veçantë rreth ndërtimit të një harmonie ndëretnike? Po, media kemi, por strategji të veçantë nuk kemi. Vendi jonë ka më tepër se kurrë nevojë për emisione të cilat rrekin këtë problematikë, ose promovojnë shtete multietnike si shembull se si jetohet në harmoni. Hartuesi i programeve mediatike duhet të ketë mendime të së ardhmes, pra një vizion.

Vizioni shembullor i një drejtuesi mediatik do ta quaja, do të ishte atëherë kur projektuesi i programeve së pari herë ndalon distribuimin e mendimit të personave me mendime të vjetëruara të cilat mbjellin urrejtje ose janë kundër tolerancës: fetare , gjinore, racore, etnike, etj.

Ky vizionar që po i mungon vendit tim, duhet të hartojë emisione për çdo moshë:

➡️ Emisione për fëmijë ku promovohet buzëqeshja fëmijërore me shokë të etnive të ndryshme, ku promovohet loja, jeta dhe kultura ndërmjet tyre. Po, mu aty ku është e vrarë bota djallëzore duhet të tregohet kënaqësia e jetës plot me tolerance e pa urrejtje fare. Të promovohen fëmijët të cilët flasin disa gjuhë të shokëve të tyre, pasi gjuha është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe urëlidhje e një dashurie apo tolerance. Të tregohet vlera e njohjes së një gjuhe  më tepër, sepse asgjë s’ke humbur, madje ndoshta ke fituar një popull të tërë.

➡️ Emisione për të rinj, aty ku rrëfehet një bashkëpunim: për shembull në një shkollë se si marrin pjesë në një projekt fëmijë të etnive tëndryshme duke patur dy gjinitë në atë mes.

Të prezantohet arti dhe kultura multietnike nga një grup të rinjsh, të prezantohen sukseset e përbashkëta të këtyre grupeve.

Koha sjell moshën e njeriut, ndaj duhet të ketë për çdo moshë emisione me vlerë që kanë qëllim kryesor plasimin e një jete përplot me harmoni në një vend multietnik.

Ç’më rrotullohet një pyetje e çuditshme përderisa po shkruaj!

Ku qëndron çelësi? Pse vendi ynë sa rregullon raportet ndëretnike, pas një kohe prishen ato kur kodi ekziston?! Por pse mbetet i pazbatuar! Pse moszbatuesit lejohen të promovohen që të prishin këtë harmoni, me mendimet e tyre të vjetëruara që shkaktojnë ndarje e hasmëri mes etnive!

Në vend të tyre do të prezantoja clindo qytet të civilizuar, aty ku jetojnë etnitete nga e gjithë bota. Një shembull i rrallë ku tek të gjithë ke gjuhën e bashkëpunimit me një buzëqeshje të parezervë.

Eh përsëri më sillen rrotull pyetje në mendjen time!

Vallë a është populli atje i lidhur ngushtë me partitë politike?

Vallë, a vrasin mendjen për politikën, apo për profesionet e tyre dhe mirëqenien e tyre jetësore?

Unë mendoj se këtu është dallimi mes vendit tonë me mendësinë e vjetër, dhe një shteti Europjan që ka dallim shumë nga vendi jonë për nga ana e zhvillimit të mentalitetit dhe mënyrës së të jetuarit. E si?! Ja nga një shembull krahasimi nga dy vendet e lartpërmendura:

Atje njerëzit politikën ua lënë profesionistëve të politikës, dhe nuk ndikohen aspak nëse ata tentojnë të mbjellin ndasi në mes popujve tjerë, ndërsa këtu tek ne mediat ndikohen tepër nga partitë politike dhe vallen e luajnë simbas dirigjimit të tyre. Për interesin e tyre nuk mbajnë kurrëfarë etike gazetarie, prandaj këtu shpesh kemi prishje të mirëqenies ndëretnike.

Mediat tona, a janë të lira? Jo, ato janë të varuara nga një subjekt politik, sepse ato janë të formuara ose të hapura si media private nga vetë subjekti politik për t’i shërbyer politikës së tyre me gazetarët të cilët janë në gjendje të promovojnë gjithçka për shefat e tyre pa vënë në llogari jetën ndëretnike.

Pra së pari mediat tona duhet të merren me veten e tyre, të korrigjojnë gabimet që kanë, e pastaj të merren edhe me edukimin institucional që kjo dukuri e prishjes së mirëqenies mos të përsëritet.

Po, kjo i bie se shumë më lehtë dirigjohet një njeri i lidhur në pranga se sa një njeri që ka duart e lira. Prangosja e gjithçkaje në vendin tim prish këtë buzëqeshje tek çdo moshë e ngjyrë.

Nëse një medie do të ishte e pavarur, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, ndjekësit e saj do të ishin me numër shumë më të madh. Ndikim tek popullata e vendit do të kishte aq shumë, saqë për çdo thirrje që do të bënte kjo medie, do të kishte përgjigje.

Pra në vendin tim mediat kanë humbur fuqinë për shkak të varshmërisë.

Nëse kemi media të pavarura të cilat i qasen me përkushtim mirëqenies ndëretnike, ato mund ta arrijnë atë.

Ëndërroj për të parë një medie të tillë që do të mbjellë dashuri e buzëqeshje tek çdo njeri i çfarëdo moshe, gjinie, besimi, etnie apo race që të jetë.



Autor i këtij blogu është Edi Qerimi, nxënës i shkollës së mesme SHMMQSH "Dr. Pançe Karagjozov", Shkup.


PUBLIKUAR MË 19.11.2024 


________________________________________________________________________________________________

Ky blog është pjesë e serisë së blogjeve mbi temën "Avancimi i shoqërisë multietnike dhe promovimi i multikulturës në shtetin tonë", të shkruar nga nxënës të shkollave të mesme në kuadër të projektit "Aktivizëm rinor për një shoqëri inkluzive". 

Projekti "Aktivizmi rinor për një shoqëri inkluzive" i Institutit për të Drejtat e Njeriut realizohet në kuadër të projektit "Mbështetje nga BE-ja për ndërtimin e besimit në Ballkanin Perëndimor", i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe i zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

project-img project-img